Kosova Cap Project është projekt humanitar i themeluar në Kosovë në dhjetor të 2011-tës nga organizata Green Club dhe Klubi për Bamirësi në AUK (AUK Charity Club), të dyja këto organizata vullnetare të themeluara nga studentë.
Projekti është nismë humanitare që ka për qëllim të ndihmojë personat që kanë nevojë për karroca por nuk kanë mundësi t’i blejnë ato. Projekti “Kosova CAP (kapakë)” do të riciklojë kapakë të plastikës si burim për të blerë dhe dhuruar karroca për persona me aftësi të kufizuara në Kosovë. Që nga themelimi i tij, projekti ka arritur të sigurojë 50 karroca për persona me aftësi të kufizuara si rezultat i mbledhjes së kapakëve dhe ka arritur të mbledhë mbi 10,000 kg kapakë plastike.
KCP dhe Uje Rugove: Kompania Uje Rugove është partner kryesor i projektit dhe filloi ta përkrahë këtë nismë qysh nga shkurti i 2012-tës fillimisht me prodhimin dhe instalimin e shportave për mbledhje të kapakëve të plastikës të vendosura nëpër kafene, restaurante dhe institucione publike të Kosovës. Kjo bëri që edhe projekti të marrë jehonë edhe më të madhe dhe qytetarët të mobilizohen në mbledhjen e kapakëve të plastikës. Më vonë, me paraqitjen e nevojës nga udhëheqësit e projektit, kompania Uje Rugove filloi të marrë përsipër edhe transportin e kapakëve të plastikës brenda Kosovës për në depon finale të mbledhjes brenda Universitetit Amerikan në Kosovë, si dhe ofrimin e depos së Uje Rugove për grumbullimin e sasive më të mëdha të kapakëve.
Uje Rugove dhe Kosova Cap Project janë duke punuar edhe ne vendosjen e shportave nëpër shkollat e Kosovës me qëllim të stimulimit të nxënësve në mbledhjen e kapakëve të plastikës. Kjo iniciative do të vazhdojë edhe në shkollat e tjera të Kosovës. Së fundi, Uje Rugove përkrahi edhe organizimin e Mbrëmjes Humanitare që pati për qëllim ngritjen e fondeve për vazhdimësinë e projektit me printimin e materialeve promovuese për këtë mbrëmje. Kosova Cap Project, si projekt humanitar, nuk ka ndonjë datë përfundimi, meqenëse sa më shumë kapakë që mbledhen aq më shumë karroca do të mund të dhurohen.