Themeluar në pjesën e dytë të vitit 2006 në rajonin e bukur të Rugovës në Kosovë, Rugove është kompani private e cila filloi në formë të partneritetit në mes të kompanisë sllovene Unior DD dhe partnerit lokal. Gjatë vitit 2009, Unior DD vendosi ti shesë aksionet e saj në Rugove, me ç‘rast u hap mundësia që të krijohet një partneritet krejtsisht lokal. Sot, pronarë të kompanisë Rugove janë mu këta partnerë lokal me aksione të barabarta dhe me asnjë investitor tjetër të inkuadruar.
Në fillim, Rugove ofronte vetëm ujë në shishe të plastikës prej 0.5l dhe 1.5l. Pas investimeve të shumta në fabrika, resurse humane dhe në rrjetin e distribuimit, si dhe pas grumbullimit të përvojës të ekipeve të shitjes të kësaj kompanie në tregun Kosovar, Rugove sot e gëzon një linjë të zgjeruar të produkteve, përfshirë ujin në shishet e xhamit prej 0.75l dhe 0.25l, ujin në shishet e mëdha të plastikës prej 6l, ujin në fuqi të mëdha të plastikës prej 10l, si dhe një seleksion në rritje të djathrave për tregun e djathit në Kosovë. Shitjet e kompanisë Rugove janë gjashtëfishuar prej vitit të parë kur kjo kompani i lansoi produktet e para. Pa dyshim se zgjerimi i linjës së produkteve të ofruara në Rugove përkrahet nga zhvillimi dhe përforcimi i vazhdueshëm i kualitetit të menaxhimit të kësaj kompanije, gjë që shprehet permes funksionimit efikas të kompanisë, përgjegjes së shpejtë ndaj nevojave të klientëve dhe zgjerimit të suksesshëm të kompanisë.
Në vitin 2009, Rugove krijoi një central prodhimi të djathit pranë atij të ujit në Drelaj. Djathi i bardhë është shumë popullor në Kosovë dhe ka konsumin relativisht të lartë. Pjesë e madhe e Djathit të Bardhë në Kosovë është i importuar nga jashtë, prandaj fabrika e re ka perspektivë të mirë dhe potencial të rritjes. Pas sfidave të para, Djathi RUGOVE i bërë nga qumështi i freskët që mblidhet në malet e Rugoves është pranuar shumë mirë nga konsumatorët, fakt që vërtetohet nga normat e qëndrueshme të rritjes.
Sot, kompania Rugove është ndër kompanitë e rralla në Kosovë që ofron produkte tërësisht të natyrshme, të prodhuara në Kosovë. Si kompania e vetme Kosovare e cila ofron ujë që mbushet direkt nga burimi, djath i cili krijohet nga qumështi i freskët i lopëve të Rugovës dhe që mban çertifikime ndërkombëtare të cilat sigurojnë kualitet të lartë të produkteve dhe menaxhim modern të biznesit, Rugove është një hap përpara tregut, dhe në hap me botën.
Misioni i kompanisë Rugove është të perceptohet si brend i mishëruar me shëndet, kualitet dhe jetë të mirë. Ne përpiqemi të ofrojmë kualitetin më të lartë të mundshëm përmes të gjitha produkteve tona duke u siguruar se gjithçka e prodhuar në Rugove i shërben shëndetit të mirë dhe është produkt konkurrues në nivel botëror.
Vizioni i kompanisë Rugove është ta sjellë natyrën e gjetur në bjeshkët e Rugovës brenda shtëpive në Kosovë dhe jashtë saj përmes produkteve natyrale dhe tejet të shëndetshme, prodhuar pikërisht në zemrën e rajonit të Dukagjinit në Kosovë (Rugovë) në partneritet me komunitetin Rugovas.
Korporata Rugove është anëtare e Rrjetit për Përgjegjësisë Shoqërore Korpoative në Kosovë, (CSR Network Kosova), ku pjesë e bordit është CEO i Rugove, Visar Kelmendi.
Me antarsimin në këtë rrjetë, Korporata Rugove ka inicuar projektin për punësim të përsonave me aftësi të kufizuara të titulluar ‘Rritja e vendeve të punës për Përsona me Aftësi të Kufizuara’. Kësaj iniciative që u lansua në muajin Tetor 2014, i janë bashkangjitur shumë biznese kosovare, duke punësuar deri më tani gjashtë përsona. Korporata Rugove me këtë rast punësoi dy përsona me nevoja të veçanta në objektin e ri të Korporatës Rugove.
Korporata Rugove nderohet me çmimin e FIDES për Filantropi
Korporata Rugove në Ceremoninë e ndarjes së çmimeve FIDES 2015 për Filantropi në Kosovë, u shpërblye për kontributin e dhënë, përmes kampanjës “1 Like 10 Cent”. Këtë kampanjë dedikuar personave të prekur me Down Sindrom në Kosovë, Rugove e filloi në bashkëpunim me Shoqatën Down Syndrome Kosova www.facebook.com/dskosova dhe kompaninë e Marketingut Republika www.facebook.com/RepublikaCommunications. Qëllimi i kësaj kampanje ishte sigurimi i fondeve për Shoqatën e Down Syndrom në Kosovë si dhe vetëdijësimi/sensibilizimi i qytetarëve për këtë pjesë të shoqërisë. Arritja më e madhe e kësaj kampanje ishte realizimi i këtyre dy objektivave.
Korporata Rugove falemnderon të gjithë qytetarët, të cilët e kanë pëlqyer dhe shpërndarë faqen e Korporatës Rugove në Facebook, e të cilët kanë luajtur rol thelbësor si partner të vërtetë përgjatë kampanjës. Falemnderime të përzemërta Rugove i drejton edhe artistëve Eliza Hoxha, Adrian Morina dhe Armend Ismajli, të cilët vullnetarisht, pa hezituar fare, kanë ndihmuar në realizimin e kampanjës duke, ndihmuar personat e prekur me down sindrom në realizimin e etiketës së një milion shisheve si dhe në sensibilizimin e qytetarëve, përmes sesionit me fotografi.
Çmimi FIDES simbolizon mirënjohje publike për kompanitë dhe individët nga Kosova dhe diaspora të cilët në mënyrë sistematike dhe me ndjeshmëri ndaj ambientit, kulturës dhe vlerave tradicionale kanë mbështetur aktivitete dhe projekte të interesit të përbashkët. Kohë më parë, kjo kampanjë u shpërblye edhe me çmimin e parë në CSR.
Çertifikatat
Rugove është e çertifikuar me çërtifikatën ISO 22000 deri në vitin 2015, çertifikat kjo e cila e përfshinë çertifikimin HACCP, duke garantuar kështu kualitet të lartë dhe të standardizuar si në produktet e kompanisë ashtu edhe në menaxhimin e saj biznesor.
Në vitin 2014 Ujë Rugove u publikua në librin Fine Waters nga Michael Mascha në mesin e ujërave të njohur në botë.
http://finewaters.com/